Njoftim (16 tetor 2019)
Njoftim (16 tetor 2019)

Sot, në Prishtinë kemi vazhduar serinë e prezantimeve të studimeve rreth fazës finale të dialogut Kosovë-Serbi. Në konferencën e sotme për shtyp, Prof. Mrika Kotorri dhe Prof. Besnik Krasniqi, ekspertë të jashtëm të Institutit RIDEA, kanë prezantuar dy studimet e radhës rreth ‘Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të Kosovës’ dhe ‘Raportet Bilaterale Kosovë-Serbi në Sektorin e Energjisë’ në kontekstin e marrëveshjes finale eventuale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Disa nga rekomandimet kryesore të studimit mbi ‘Fondin për Sigurimin Pensional dhe Invalidor të Kosovës’ janë me sa vijon:

Duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Serbia duke e shuar dhe përvetësuar BVISPI të ish KSAK në mënyrë të jashtëligjshme dhe duke suspenduar pagesën e pensioneve ndaj shqiptarëve dhe jo-serbëve në Kosovë, ka shkelur të drejtën themelore nga sigurimi pensional dhe invalidor të pensionistëve kontributdhënës dhe i ka penguar të njëjtit në shfrytëzimin e qetë të pasurisë së tyre. Për të çuar drejtësinë në vend, rekomandohet që:

i. Republika e Serbisë zyrtarisht ta pranojë se e drejta në pension është e drejtë themelore e fituar në bazë të punës dhe kontributeve të detyrueshme dhe se si e tillë është e rregulluar si një e drejtë themelore e njeriut e cila (i) nuk mund të transferohet te një person tjetër dhe (ii) nuk mund të parashkruhet, përveç kërkesave në shuma të papaguara dhe pretendimeve të papaguara;

ii. Republika e Serbisë zyrtarisht ta pranojë përgjegjësinë për dëmin në para dhe dëmin jo-pasuror që ia ka shkaktuar pensionistëve kontributdhënës;

iii. Republika e Serbisë t’iu kërkojë publikisht falje pensionistëve kontributdhënës për dëmin në para dhe dëmin jo-pronësor që ua ka shkaktuar përmes suspendimit të jashtëligjshëm nga ana e saj (Republikës së Serbisë) të pagesave të sigurimit pensional dhe invalidor;

iv. Republika e Serbisë zyrtarisht ta pranojë detyrimin e saj ligjor, politik, si dhe moral për të kompenzuar pensionistët kontributdhënës për të gjitha dëmet në para dhe dëmet jo-pasurore sipas aktgjykimit/vendimit të GJEDNJ-së në lëndën gjyqësore Grudic ndaj Serbisë. Përmes kësaj, Republika e Serbisë duhet që për secilin rast të paguaj (i) në lidhje me dëmin jo-pasuror, 7,000 Euro, plus ndonjë tatim që mund të ngarkohet në ta, (ii) në lidhje me kostot dhe shpenzimet, 1,500 Euro, plus ndonjë tatim që mund të ngarkohet në ta, dhe (iii) në lidhje me dëmin në para, pensionet e kalkuluara në baza individuale, së bashku me interesin statutor për tërë periudhën “të kalkuluar në bazë të indeksit të çmimeve të konsumatorëve plus 0.5% tjera në muaj”.

v. Republika e Serbisë, në bazë të aktgjykimit/vendimit të GJEDNJ-së të ndërmerr “të gjitha masat e duhura që të sigurojë se autoritetet kompetente të Serbisë të zbatojnë të gjitha ligjet relevante, në mënyrë që të sigurohet pagesa e pensioneve dhe borxheve tjera në pyetje, duke pas parasysh se disa procedura verifikuese administrative dhe/apo faktike të arsyeshme dhe të shpejta janë të nevojshme në këtë rast”.

vi. Republika e Serbisë, në bazë të Rekomandimit nr. 5, të pajtohet për një plan kohor mbi ekzekutimin në plotëni të pagesave.

vii. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë mos të turbullojnë/përziejnë çështjen e pensionistëve kontributdhënës me çështjet politike ose çështjet tjera, të cilat janë subjekt i negociatave, por të pranojnë në mënyrë eksplicite që e drejta në sigurimin pensional dhe invalidor është një e drejtë themelore e njeriut, sipas dokumenteve ligjore të ish RSFJ, ish KSAK, të ligjeve në fuqi të Republikës së Serbisë dhe dokumenteve ligjore ndërkombëtare. Rrjedhimisht, kjo çështje duhet të zgjidhet për secilin pensionist kontribut pagues veç e veç.

viii. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Serbisë të pajtohen për identifikimin e të gjithë pensionistëve kontributdhënës, të cilët kanë paguar kontribute të detyrueshme në BVISPI të ish KSAK për më pak se 15 vite, por të cilët ishin pushuar nga puna jashtëligjshëm, dhe të njëjtit ta trajtojnë këtë kategori të pensionistëve në bazë të ligjeve të ish RSFJ dhe ish KSAK.

ix. Qeveria e Kosovës të shfrytëzojë të gjitha dokumentet relevante dhe të duhura për të zhvilluar argumentet e saj gjatë negocimit në emër të qytetarëve të vet në Dialogun e Brukselit.

x. Lehtësuesi në Dialogun e Brukselit, gjegjësisht BE, si dhe komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar që Republika e Serbisë, sipas aktgjykimit/vendimit të GJEDNJ-së, të pajtohet “që të ndërmerr të gjitha masat e duhura që të sigurojë se autoritet kompetente të Serbisë të zbatojnë të gjitha ligjet relevante, në mënyrë që të sigurohet pagesa e pensioneve dhe borxheve tjera në pyetje, duke pas parasysh se disa procedura verifikuese administrative dhe/apo faktike të arsyeshme dhe të shpejta janë të nevojshme në këtë rast.”

xi. Qeveria e Kosovës, sipas kërkesës së pensionistëve kontributdhënës, të merret seriozisht me ndryshimet dhe plotësimet shtesë të Ligjit nr. 04/L-101 mbi Fondin Pensional të Kosovës, për t’u siguruar që pensioni bazik dhe shtesa prej 35 Euro të pensionit të pranuara nga pensionistët kontributdhënës të zëvendësohet me termin “asistencë sociale për pensionistët kontributdhënës”.

Ndërsa, mëposhtë janë disa nga rekomandimet kryesore të studimit mbi ‘Raportet Bilaterale Kosovë-Serbi në Sektorin e Energjisë’:

i. Marrëveshje të ndryshme (Marrëveshja e Përkohshme për Shkëmbimin e Energjisë e vitit 2000, Marrëveshja e Përkohshme Teknike e vitit 2001, Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, Marrëveshja mbi Energjinë e vitit 2013, Aranzhimet lidhur me Energjinë të vitit 2013, Raporti mbi Përfundimet i vitit 2015, Marrëveshja Kornizë e vitit 2014, si dhe Marrëveshja ndër-OST e vitit 2014) me qëllimin e njëjtë dhe, në masë të madhe, me përmbajtjen e njëjtë është dashur të arrihen për energjinë, por prapseprap ende nuk ka rezultate të prekshme sa i përket zbatimit të po të njëjtave. Për shkak të kësaj, Kosova nuk duhet të lejojë që negociatat për Energjinë të tranformohen në Sagë të Pafund. Prandaj, Kosova nuk duhet të pranojë vazhdimin e negociatave pa pasur përcaktim të qartë të afatit kohor për përfundim dhe duhet të insistojë të bëj/përcaktojë Aranzhime të detajuara për Energji me tekst specifik dhe të qartë. Duhet të theksohet fuqimisht se Kosova në asnjë rrethanë nuk duhet të pranojë asnjë tekst të marrëveshjes, karakteristikë e të cilit do të ishte çfarëdo ambiguiteti/dykuptimësie konstruktive. Përveç kësaj, marrëveshja duhet të jetë e shoqëruar me një plan veprimi të specifikuar qartazi, në të cilin do të jenë qartazi te specifikuara korniza/afatet kohore të zbatimit/realizimit.

ii. EnCS, lehtësuesi i Dialogut të Brukselit, si dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që të sigurojnë se Serbia, jo më vonë se gjashtë muaj nga rifillimi i Dialogut të Brukselit, të respektojë Vendimin 2016/02/MC-EnC e Këshillit Ministror të EnC (i elaboruar më sipër në detaje), që do të thotë, se Serbia “duhet të ndërmarrë të gjitha masat përkatëse për të korrigjuar shkeljen e identifikuar në Nenin 1 dhe të veprojë në përputhje me Ligjin e Komunitetit të Energjisë të dhjetorit 2016. Republika e Serbisë duhet të raportojë në baza të rregullta te Sekretariati dhe te Grupi i Lartë Permanent në lidhje me të gjitha masat e ndërmarra”.

iii. KOSTT dhe EMS duhet të fillojnë negociatat e lehtësuara nga EnCS lidhur me Marrëveshjet e Përkohshme për ITC dhe për Menaxhimin e Kongjestionit, duke u bazuar në përpikëri në Marrëveshjen Kornizë në mes të KOSTT dhe EMS. Po ashtu, KOSTT duhet të dorëzojë tek EnCS dhe EMS kërkesën për kompenzimin e të hyrave të cilat EMS i ka realizuar përmes alokimit të kapaciteteve të transmisionit në tri linjat e interkoneksionit të Palëve Kontraktuese fqinje me rrjetin e operuar nga KOSTT për periudhën 2006-2009, gjatë së cilës Kosova ka qenë Palë Kontraktuese e EnCT. Vlera totale, të cilën EMS ia ka borxh KOSTT, duhet të rivlerësohet në mënyrë që ta mbulojë vetëm periudhën 2006-2009. Më pas, një marrëveshje sipas kërkesës së KOSTT duhet të arrihet brenda një periudhe të shkurtër kohore nga data e dorëzimit të kërkesës nga ana e KOSTT. Marrëveshja duhet të ngërthejë në vete një plan veprimi lidhur me detajet dhe afatin kohor të pagesave.

iv. KOSTT dhe EMS duhet të fillojnë negociatat e lehtësuara nga BE në lidhje më kërkesën e KOSTT për kompenzimin e të hyrave të cilat EMS i ka realizuar përmes alokimit të kapaciteteve të transmisionit në tri linjat e interkoneksionit të Palëve Kontraktuese fqinje me rrjetin e operuar nga KOSTT për periudhën 2004-2006, sipas Marrëveshjes së Përkohshme për Shkëmbimin e Energjisë të vitit 2000. Vlera totale, të cilën EMS ia ka borxh KOSTT, duhet të rivlerësohet në mënyrë që ta mbulojë vetëm periudhën 2004-2006. Më pas, një marrëveshje sipas kërkesës së KOSTT duhet të arrihet brenda një periudhe të shkurtër kohore nga data e dorëzimit të kërkesës nga ana e KOSTT. Marrëveshja duhet të ngërthejë në vete një plan veprimi lidhur me detajet dhe afatin kohor të pagesave.

v. Në rast se Serbia dështon të arrijë marrëveshjet e parapara në Rekomandimet 3 dhe 4, dhe/ose nuk ndërmerr masa për zbatimin e marrëveshjeve kur ato të arrihen, qeveria e Kosovës duhet të dorëzojë ankesat e veta në arbitrazhin ndërkombëtar.

vi. Para se të merret ndonjë vendim në arbitrazhin ndërkombëtar, Kosova duhet të pezullojë të gjitha aktivitetet e parapara me Pikën 15 për Shërbimet e Distribuimit sipas Aranzhimeve për energjinë. Do të thotë, Kosova duhet të kushtëzojë zbatimin e Pikës 15 të Aranzhimeve për Energjinë me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të elaboruara në Rekomandimet 3 dhe 4.

vii. EnCS, lehtësuesi i Dialogut të Brukselit, d.m.th. BE, si dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që të sigurojnë se Serbia, jo më vonë se një muaj nga vazhdimi i Dialogut të Brukselit, të fillojë me zbatimin e Marrëveshjes Kornizë me Kosovën.

viii. EnCS, lehtësuesi i Dialogut të Brukselit, d.m.th. BE, si dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që të sigurojnë se Serbia, jo më vonë se një muaj nga vazhdimi i Dialogut të Brukselit, të fillojë me zbatimin e Marrëveshjes ndër-OST me Kosovën.

ix. Në rast se Serbia dështon ta respektojë në plotëni dhe të zbatojë në plotëni Marrëveshjen Kornizë dhe/ose Marrëveshja ndër-OST me Kosovën, atëherë Kosova duhet të ngritë padi në EnCS.

x. Derisa të mos gjendet një zgjidhje për mosmarrëveshjet në Rekomandimet 7 dhe 8, Kosova duhet të pezullojë të gjitha aktivitetet e parapara në Pikën 15 mbi Shërbimet e Distribuimit të Aranzhimeve për energjinë. Do të thotë, Kosova duhet të kushtëzojë zbatimin e Pikës 15 të Aranzhimeve për Energjinë me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të elaboruara në Rekomandimet 7 dhe 8.

xi. Kosova dhe Shqipëria duhet t’i dorëzojnë në arbitrazh ndërkombëtar pretendimet e tyre lidhur me të hyrat e humbura në vlerën prej rreth. 3 milion Euro që rrjedhin nga kushtëzimi i operacionalizimit të linjës 400 kV të interkoneksionit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nga ana e Serbisë me licencimin e ElektroSever.

xii. Derisa të mos gjindet një zgjidhje për mosmarrëveshjen në Rekomandimin 11, Kosova duhet të pezullojë të gjitha aktivitetet e parapara në Pikën 15 mbi Shërbimet e Distribuimit të Aranzhimeve për energjinë. Do të thotë, Kosova duhet të kushtëzojë zbatimin e Pikës 15 të Aranzhimeve për Energjinë me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të elaboruara në Rekomandimein 11.

xiii. Për shkak të shkeljeve të vazhdueshme të EMS, Kosova/KEDS duhet t’i dorëzojë në arbitrazhin ndërkombëtar pretendimet e KEDS lidhur me humbjet që i janë shkaktuar nga mospagesa e faturave të energjisë elektrike nga ana e konsumatorëve në pjesën veriore të Kosovës që deri më sot kanë arritur vlerën prej rreth 204 milion Euro.

xiv. Derisa të mos gjindet një zgjidhje për mosmarrëveshjen në Rekomandimin 13, Kosova duhet të pezullojë të gjitha aktivitetet e parapara në Pikën 15 mbi Shërbimet e Distribuimit të Aranzhimeve për energjinë. Do të thotë, Kosova duhet të kushtëzojë zbatimin e Pikës 15 të Aranzhimeve për Energjinë me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të elaboruara në Rekomandimin 13.

Publikimet e RIDEA-s
Publikimet e RIDEA-s RIDEA publikon artikuj akademik në revista të njohura ndërkombëtare, komente dhe opinione në gazetat e përditshme vendore dhe ndërkombëtare.
Raporte dhe Studime
Raporte dhe Studime Substanca dhe Gjendja e Zbatimit te Marreveshjeve te Dialogut Kosove-Serbi
Artikuj Akademik
Artikuj Akademik Kufijtë e një marrëdhënie të lënë pas dore: Korrupsioni dhe Liria Ekonomike. Qerimi, Qerim R. dhe Sergi, Bruno S.
Revista për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare
Revista për Çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare Gjendja e përgjithshme e sferës së botimeve akademike ose shkencore në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi dhe shtete të tjera.
Komente/OP-ED
Komente/OP-ED Problemet e vjetra dhe shtetet e reja. Qerim Qerimi. (Taipei Times, 2008).
E-newsletter
E-newsletter Përmbledhje e aktiviteteve të RIDEAs në aspekte të ndryshme që shfaqet dy herë në vjet.