Themeluesit
Themeluesit

Dr. Labinot Greiçevci është ekspert në shkenca politike dhe ka interesim për relacionet në mes të shkencave politike dhe disiplinave të përafërta akademike. Lëndët e ligjërimit dhe hulumtimet e tij përfshijnë shtet-ndërtimin ndërkombëtar, politikat e jashtme të Bashkimit Evropian, relacionet mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. I përfundoi studimet bachelor në Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës (2004), studimet master në Shkenca Politike (Politika Evropiane dhe Politika Publike) në Universitetin e Mançester-it (2006), dhe doktoraturën në Shkenca Politike e bëri në Universitetin e Gent-it në Belgjikë (2011). Ai gjithashtu ka bërë hulumtime në Universitetin e Mançester-it si hulumtues në Departamentin e Politikës (2006/07), hulumtues i Shkencave Politike në Universitetin e Amsterdamit (2008), si dhe në Departamentin e Politikës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oxford-it (2010). Ai ka publikuar shumë artikuj, duke theksuar këtu publikimet në European Foreign Affaris Review (2007), L’Europe en Formation (2008), ISIG- Quarterly of International Sociology (2009), Perspectives on European Politics and Society (2011). Labinoti është pjesëmarrës i shpeshtë i ngjarjeve dhe konferencave evropiane dhe ndërkombëtare në lidhje me temat për rolin ndërkombëtar të BE-së dhe çështjet e shtet-ndërtimit, si dhe luan rol aktiv në organizimin e këtyre ngjarjeve. Për hulumtimet e tij, Labinoti është shpërblyer me grante nga Agjencioni Evropian për Rindërtim, Fondacioni SOROS me seli në Londër dhe nga programi Erasmus-Mundus i Bashkimit Evropian. Më herët, ka punuar si bashkëdrejtues dhe ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Biznesit dhe Teknologjisë. Po ashtu, ka punuar si këshilltar në Zyrën e Kryeministrit përmes konsulencave të ndryshme ndërkombëtare.


Dr. Qerim Qerimi aktualisht ligjëron për të Drejtën Ndërkombëtare, Organizatat Ndërkombëtare, dhe të Drejtën Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës. Gjithashtu, është bashkëprofesor i të Drejtës Ndërkombëtare Publike dhe Diplomacisë dhe Komunikimit në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës. I arsimuar në drejtësi dhe shkenca politike, ai ka një interesim të veçantë për çështje të filozofisë politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, të gjitha aspektet e të drejtës ndërkombëtare publike, dhe të drejtën e zhvillimin njerëzor. Së fundmi Profesor dhe Studiues Vizitor, si dhe fitues i bursës Fulbright për studiues, në Universitetin e Harvardit (2011–2012), Qerimi është themelues i Revistës së Universitetit të Prishtinës për të Drejtat e Njeriut dhe Politikat, kryeredaktor i revistës E Drejta të Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës, dhe anëtar i Bordeve Editoriale të International Journal of Trade and Global Markets dhe Revistës Shqiptare për Studime Ligjore. Këshilltar i dikurshëm i lartë i Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës (2008-2010), ai ka shërbyer edhe si ekspert i lartë ligjor për një projekt të Bashkimit Evropian në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës (2006–2008). Përvojat e tij të tjera nga bota e praktikës përfshijnë punën me Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM), dhe si këshilltar, për një numër projektesh të financuara apo zbatuara nga Bashkimi Evropian, USAID-i, Banka Botërore, dhe korporata private. Në periudhën ndërmjet viteve 2005 dhe 2006, ai ka qenë bashkëpunëtor shkencor në Institutin Max Planck për të Drejtën e Krahasuar Publike dhe të Drejtën Ndërkombëtare në Heidelberg, Gjermani, dhe në verën e vitit 2006, ka ndjekur Akademinë e Hagës për të Drejtën Ndërkombëtare. Nga publikimet e tij të shumta, Qerimi është autor i një libri të fundit për Zhvillimin në të Drejtën Ndërkombëtare: Një kërkim i orientuar nga politikat (2012, Martinus Nijhoff Publishers: Leiden dhe Boston), dhe autor i Ekonomisë Politike të Evropës Juglindore, publikuar nga Continuum International Publishing Group në Nju Jork (me B.S. Sergi). Sa u përket publikimeve në revista akademike të cituara ose me recension ndërkombëtar, ai ka publikuar në të tilla si: Chicago-Kent Journal of International and Comparative Law, US-China Law Review, Asia Pacific Law Review, International Journal of Social Ecology and Sustainable Development, International Journal of Business Governance and Ethics, Utrecht Journal of International Law, South-East Europe Review for Labour and Social Affairs, Southeastern European Politics, Politikon, Problems of Economic Transition, Transition Studies Review, Journal of East-West Business; World Review of Entrepreneurship, Management and Sustainable Development; Newsletter of the School of Human Rights Research, etj.


Shpend Voca është ekspert për çështjet ndër-etnike dhe pakicat në Kosovë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor. Shpendi ka diplomuar në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Psikologjisë. Më pas, ai përfundoi studimet post-diplomike dhe masterin në Applied Transformation Studies përmes rrjetit të Nansen Dialogue (ND) në rajon, Mbretërinë e Bashkuar dhe Norvegji. Më herët, ai ka punuar me Kosova Nansen Dialogue në Prishtinë, duke ndihmuar në procesin e dialogut ndër-etnik. Për të plotësuar përvojën e tij akademike, Shpendi ishte pjesë e shumë trajnimeve të ndryshme për zgjidhjen e konflikteve, teoritë e konfliktit, dhe publikoi ne Birmingham studimin e mëposhtëm: “Efektet e dialogut ndëretnik në uljen e paragjykimeve dhe komunikimi i përmirësuar në Kosovë”. Më herët, Shpendi ishte i përfshirë si psiko-analist në Departamentin e Drejtësisë (UNMIK), Zyra për Personat e Pagjetur dhe Forenzikë, duke bërë hulumtime për identifikimin dhe vlerësimin e nevojave psiko-sociale të familjeve të të pagjeturve. Shpendi, po ashtu, ka përvojë si trajner dhe këshilltar në çështje të ndryshme sociale me organizata dhe konsulenca të ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare.

List of videos