Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA)
është një organizatë e pavarur, jo-fitimprurëse dhe e orientuar kah kërkimet, e
specializuar dhe përkushtuar ndaj studimit dhe kuptimit të çështjeve evropiane
dhe të zhvillimit. Projektet e saj financohen tërësisht nga dhurimet e
individëve dhe të kompanive publike dhe private, për të bërë të mundur kryerjen
e punëve dhe përmbushjen e misionit. Në të kaluarën, organizata ka
hartuar dhe publikuar një sërë studimesh dhe dokumentash të politikave për
aspekte kyçe të proceseve integruese evropiane dhe marrëdhënieve ndëretnike,
çështjeve dhe politikave të jashtme, të drejtës ndërkombëtare, politikave publike,
dhe sektorit të arsimit në Kosovë. Po ashtu, Instituti RIDEA ka organizuar një seri
të konferencave, seminareve dhe punëtorive me përfituesë të ndryshëm për temat
e theksuara.
Në të kaluarën, ekipi i RIDEA-s ka shërbyer në kapacitete që janë
të rëndësishme për misionin dhe objektivat që Instituti synon t'i arrijë,
përfshirë përvojë pune në institucione vendore si Zyra e Kryeministrit të
Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Drejtësisë, Universiteti i
Prishtinës, dhe të tjera. Anëtarët e RIDEA-s, po ashtu, kanë përvoja të
konsiderueshme edhe në punën me institucione ndërkombëtare. Ata kanë qenë të
përfshirë në projekte të financuara nga Bashkimi Evropian, USAID-i, OSBE-ja,
IOM-i, Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë, Banka Botërore, dhe
organizata të tjera ndërkombëtare në fusha që kanë të bëjnë me ngritjen e
kapaciteteve të institucioneve kombëtare dhe lokale (p.sh., Qeverisë, Kuvendit, komunave, Universitetit dhe institucioneve të tjera arsimore e kërkimore).
Po aq e rëndësishme, anëtarët e RIDEA-s kanë përvojë të shumtë në
veprimtari kërkimi me një sërë institucionesh hulumtuese vendëse e
ndërkombëtare dhe institucione arsimore. Në të kaluarën, ata kanë bërë kërkime,
studime ose mbajtur ligjërata në institucione si Universiteti i Harvardit,
Universiteti i Oxford-it, Universiteti i Cambridge-it, Universiteti i Firencës,
Universiteti i Yale-it, Universiteti i Manchester-it, Universiteti i Vienës,
Universiteti i Ghent-it, Universiteti i Lirë i Amsterdamit, Akademia e Hagës
për të Drejtën Ndërkombëtare, Instituti Max Planck për të Drejtën e Krahasuar
Publike dhe të Drejtën Ndërkombëtare, dhe të tjera institucione.
Njëlloj, anëtarët e ekipit të RIDEA-s kanë qenë aktivë edhe në
fushën e publikimeve. Ata janë autorë apo bashkëautorë të një numri të librave,
kapitujve të librave dhe artikujve akademik dhe të tjerë në lidhje me rajonin
e Ballkanit Perëndimor, si dhe për tema të tjera të rëndësishme si, konsolidimi i demokracisë, proceset e integrimit evropian, sundimi i ligjit dhe
mbrojtja e të drejtave të njeriut dhe e lirive themelore, etj. Po kështu,
anëtarët kyç të personelit të organizatës kanë qenë pjesë e konferencave të
ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare në lidhje me këto tema. Në të vërtetë,
Instituti mban lidhje të ngushta me një sërë rrjetesh profesionale dhe
institucionesh akademike në shkallë botërore (p.sh. Qendra për Studimet e BE-së
– Universiteti i Ghentit, Qendra për Studime Ndërkombëtare – Universiteti i
Oksfordit, etj.).